Një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Pyjore në fshatin Dyz të Podujevës ka përfunduar me konfiskimin e disa armëve dhe municionit. Një 24-vjeçar është ndaluar pasi është konstatuar se kishte armë në veturën e tij, ndërsa më pas, me urdhër të Prokurorisë, zyrtarët policorë kanë shkuar edhe në shtëpinë e tij, ku kanë konfiskuar tri armë të tjera, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Leutrim Majkofci, 24 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 21 nëntor, rreth orës 12:30, gjatë angazhimit të një patrulle policore në asistim të Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Zyrtarët kanë hasur në Majkofcin, i cili është afruar te vetura e tij e tipit Opel, ku ndodhej një armë zjarri.
Pas konstatimit të kësaj rrethane, Policia ka kontaktuar Prokurorinë e Shtetit, e cila ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë konfiskuar edhe tri armë të tjera, për të cilat, sipas informacioneve policore, ai posedonte leje dhe pëlqim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në materialin e rastit përmenden dy pushkë gjuetie, dy fishekë të kalibrit 12 mm dhe një rrip për mbajtjen e fishekëve si pjesë e sendeve të konfiskuara.
Pas veprimeve policore, Majkofci është shoqëruar për intervistim në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorisë, 24-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Dosja i është kaluar njësisë së hetimeve për procedura të mëtejshme.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





