Një grua nga fshati Llapashticë e Epërme e Podujevës ka denoncuar bashkëshortin për dhunë fizike, ndërsa pas ndërhyrjes së Policisë ka vendosur të largohet së bashku me dy fëmijët dhe të qëndrojë te familja e saj. Burri është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja e denoncuar dyshohet se ka ndodhur më 19 nëntor, rreth orës 22:00, ndërsa rasti është raportuar në Polici dy ditë më vonë, më 21 nëntor.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është I.M., rreth 36 vjeç, ndërsa bashkëshortja e tij, F.M., është rreth 25 vjeçe.
Pas pranimit të denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë shoqëruar të dy bashkëshortët në stacion për intervistim.
Gruaja është intervistuar në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, ku ka deklaruar se bashkëshorti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Asaj i është ofruar trajtim mjekësor dhe janë prezantuar shërbimet mbështetëse për viktimat e dhunës në familje.
Gruaja ka refuzuar vendosjen në strehimore dhe, me kërkesën e saj, është dërguar së bashku me dy fëmijët te prindërit.
Ndërkohë, bashkëshorti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ku ka mohuar se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është urdhëruar ndalimi i të dyshuarit për 48 orë.
Rasti po trajtohet si dhunë në familje, ndërsa pretendimet e palëve mbeten objekt i hetimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





