Një konflikt familjar në Prizren ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e një 43-vjeçari, i cili dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten e tij pasi kishte shkuar në shtëpinë e vëllait të saj. Ishte pikërisht kunati ai që kërkoi ndihmën e Policisë, duke denoncuar incidentin, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 22 nëntor, rreth orës 00:50, në lagjen Arbana të Prizrenit.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është B.T., rreth 43 vjeç, ndërsa bashkëshortja e tij, V.K., është rreth 40 vjeçe.
Rasti është raportuar nga vëllai i gruas, i cili ka njoftuar Policinë se bashkëshorti i motrës së tij kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte kërcënuar atë.
Pas pranimit të informatës, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar ankuesin për të sqaruar rrethanat e denoncimit.
Në trajtimin e rastit janë përfshirë edhe hetuesit kujdestarë dhe njësia për hetimin e dhunës në familje.
Pas intervistimit të palëve, hetuesit kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për “Dhunë në familje”.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rrethanat e kërcënimit të denoncuar mbeten objekt i hetimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





