Ministria e Arsimit i ka pezulluar nga puna shtatë zyrtarë të saj, pesë ndaj të cilëve ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale nga data 31.12.2025 për dallavere në procedura të tenderimit të Ministris së Arsimit.

Kallxo mëson nga një burim nga Ministria e Arsimit.
Sipas burimit, dy zyrtarë të tjerë, Bukurije Borovci dhe Nerxhivane Sejdiu, kanë aktakuzë të ngritur nga Prokuroria e Prishtinës.
“Ministria e Arsimit pasi është njoftuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se është ngritur aktakuzë, në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publikë, ka pezulluar nga puna pesë zyrtarë publikë të Ministrisë. Gjithashtu, MASh është njoftuar zyrtarisht edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se, në një rast tjetër, është ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë dhe, për rrjedhojë, në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publikë, edhe këta zyrtarë publikë janë pezulluar nga puna deri në përfundimin e procedurës penale.“ – ka thënë burimi më 08.10.2026.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale janë të akuzuar: Fadile Dyla, Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu, Naim Demiri e Arberita Mehmetaj.
Fillimisht disa media pretenduan dhe raportuan se sot, më 08.10.2026, ka pasur një aksion të Policisë së Kosovës në Ministri të Arsimit, në të cilin pretendohej se janë arrestuar ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Arsimit, Fadile Dyla, zyrtari i prokurimit, Xhemajl Buzuku e zyrtari i financave, Fehmi Zylfiu.
Ministria e Arsimit reagoi ndaj këtyre lajmeve duke i quajtur të pavërteta dhe mohoi se janë kryer bastisje në ambientet e saj.
“MASh sqaron se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se ky informacion është i pavërtetë dhe se në ambientet e saj nuk ka pasur bastisje.” – thuhet në reagimin e Ministrisë, e cila kërkoi që të gjitha mediat që raportuan ta tërheqin lajmin.
Xhemajl Buzuku, njëri nga të pezulluarit, e ka mohuar se është arrestuar nga Policia sot më 08.10.2026, por ka thënë për se ai dhe të gjithë kolegët që janë të akuzuar janë pezulluar nga puna.
“Kurrëfar Policie s’ka pasë… Na kanë pezulluar, kurrgjë kurrkujt. Me pagesë, 50%. Sot e kam marrë vendimin e pezullimit.” – tha Buzuku më 08.10.2026.
Buzuku tha se do të bëjë ankesë ndaj këtij vendimi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
Telegrafi ka provuar të kontaktojë Ministrinë e Arsimit, por deri në publikimin e lajmit nuk ka mundur të marrë përgjigje.




