Në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt sot seanca e radhës plenare, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte Reforma Territoriale.
Partia Demokratike kishte paralajmëruar një protestë kombëtare sot jashtë Kuvendit, për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për shtimin e numrit të bashkive.

Në tubim sot ishin edhe protestuesit e përnatshëm që prej më shumë se katër muajsh vijojnë të dalin në bulevard, por si një grupim më vete nga ata të PD.
Për të siguruar rendin, policia kishte marrë masa duke shtuar numrin e efektivëve përreth Kuvendit.
Që në nisje të seancës u shënuan përplasej e para mes protestuesve dhe efektivëve. Tubuesit kanë shtyrë herë pas here fizikisht punonjësit e policisë me qëllim për të çarë kordonin e efektivëve dhe për t’iu afruar hyrjeve të Kuvendit.
Për t’i shpërndarë policia ka përdorur spraj lotsjellës, duke normalizuar situatën. Një incident tjetër u shënua dhe mes dy personave në protestë, ku u pa një burrë teksa godiste me shuplakë një djalë të ri.
Protestuesit po ashtu kanë bllokuar edhe akset rrugore, ndërsa në negociata me policinë tentuan të futen disa prej deputetëve të PD, të cilët kërkonin që efektivët të lejonin që protestuesit të vijonin ‘planin’.
Edhe pas tentativave, protestuesit nuk kanë kaluar përtej kordonit të policisë, ndërsa në shenjë revolte ata u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave./TCH
Burimi: Dukagjini




