Pas 28 vitesh jetë në Kroaci, legjenda e futbollit kthehet për të jetuar në Kosovë.
Bëhet fjalë për Xhevdet Muriqin që ditën e djeshme ka zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Kurti përmes një njofitmi për media.
Postimi i plotë:
Dje prita në zyrë Xhevdet Muriqin, futbollistin e brezit të artë të Prishtinës së viteve të 80-ta. Pas 28 vjet jetë e punë në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, Xhevdet Muriqi është rikthyer vjet për të jetuar në Kosovë. Biseda jonë e përzemërt na ktheu te ndeshjet dhe emocionet e asaj kohe. Te stadiumi i mbushur përplot, te publiku që jetonte me lojën dhe te golat që ende i kujtojmë. Folëm edhe për vëllain e tij, Fadil Muriqin që jeton në Australi, për kolegët, Fadil Vokrrin, Kujtim Shalën, trajnerin Qiro Bllazheviq dhe të tjerët.
FC Prishtina na mblidhte në stadium, por edhe pranë radios e televizorit. Fitoret dhe sukseset e klubit, por edhe ngecjet e humbjet, i ndienim e përjetonim si tonat. Ishte futboll, ishte edhe krenari.
Nga ndeshjet e së kaluarës, kaluam edhe tek ato që po i ndjekim sot. Biseduam për paraqitjet e fundit të Kosovës, për ngritjen e përfaqësueses dhe për ndeshjet e radhës që na presin gjatë nëntorit.
The post Pas 28 vitesh jetë në Kroaci, legjenda e futbollit kthehet për të jetuar në Kosovë appeared first on Insajderi.




