Komisioni Evropian ka bërë një përmbledhje të turneut të presidentes Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë si dëshmi të vrullit që ekziston për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Turneu i Presidentes von der Leyen në Ballkanin Perëndimor tregoi vrullin që ekziston për zgjerimin. Progresi është real, reformat mbeten thelbësore dhe BE-ja po i mbështet partnerët në çdo hap të rrugës”, thuhet në një postim në X.
Në kuadër të këtij turneu, Von der Leyen vizitoi edhe Kosovën, njofton Klankosova.tv
Në Prishtinë, ajo diskutoi për procesin e integrimit evropian të Kosovës, reformat dhe zhvillimet politike në vend, si dhe për mbështetjen që Bashkimi Evropian i ofron Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Von der Leyen përcolli mesazhin se rruga drejt Bashkimit Evropian lidhet me zbatimin e reformave dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit.
Komisioni Evropian theksoi se përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është real, por reformat mbeten një element thelbësor në procesin e integrimit evropian.




