Në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar tentativën për futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e Doganës thuhet se gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili ishte duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
“Gjatë intervistimit, udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Ai është përgjigjur se nuk kishte asgjë për të deklaruar.
Bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të automjetit dhe kontroll personal të udhëtarit. Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e tij janë gjetur të fshehura 30,550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar”, thuhet në njoftim.
Dogana rikujton se sipas Nenit 33 të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë, është i obliguar të deklarojë me shkrim shumën e mjeteve monetare dhe burimin e tyre të verifikueshëm pranë zyrtarit doganor. /Telegrafi/







