Pas dhunës së ushtruar ndaj dy të rinjve shqiptarë nga njësiti antidrogë i policisë së Maqedonisë së Veriut, nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Publike po bëjnë hetime për zbardhjen e plotë të rastit, pas të cilit do të japin hollësi rreth tij.
Ministria e Brendshme po ndërmerr masa dhe aktivitete për të përcaktuar gjendjen faktike, rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve policorë të përfshirë.

VLEN ka shprehur shqetësim për rastin e dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë denoncuar keqtrajtim nga zyrtarë policorë, duke kërkuar hetim të paanshëm dhe përgjegjësi në rast se konstatohen shkelje të ligjit.
Nga kjo parti theksojnë se dhuna nuk mund të arsyetohet me uniformë dhe se çdo tejkalim i kompetencave duhet të marrë përgjigjen e merituar ligjore.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë publikuar disa pamje për të cilat thonë se janë të momentit të dhunës së ushtruar nga policia ndaj dy të rinjve shqiptarë.
BDI kërkon nga zv.ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si trajtohet ky rast dhe të japë dorëheqje. Nga kjo parti kërkojnë që hetimi të zhvillohet me seriozitet dhe transparencë, ndërsa Prokuroria të ndërmarrë veprimet e nevojshme në bazë të provave.
Burimi: RTKLive




