Maricarmen Abascal, 87-vjeçarja spanjolle dëbimi i së cilës nga banesa ku kishte jetuar për më shumë se 70 vjet shkaktoi protesta në mbarë Spanjën dhe nxiti një debat të ashpër politik për krizën e strehimit, ka ndërruar jetë.

Lajmi u bë i ditur nga Unioni i Qiramarrësve të Madridit. Abascal u nxor me forcë nga apartamenti i saj më 23 shtator, e vendosur në një barelë, pasi nuk kishte mundësi të përballonte rritjen e qirasë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Pas dëbimit, kompania që zotëronte apartamentin ofroi që 87-vjeçarja të kthehej në banesë me një qira më të ulët. Megjithatë, marrëveshja nuk mundi të nënshkruhej, pasi Abascal ishte shtruar në spital.
“Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ka ndërruar jetë sot”, deklaroi Unioni i Qiramarrësve të Madridit, duke e cilësuar rastin e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”.
Zëdhënësja e unionit, Alicia del Rio, tha se rasti i Abascal tregon pasojat e krizës së strehimit.
“Spekulimi kushton jetë dhe sot rentierizmi e ka vrarë përfundimisht shoqen tonë Maricarmen”, u shpreh ajo, duke shtuar se kujtimi i saj “do të jetojë mes nesh”.
Shkaku i vdekjes së 87-vjeçares nuk është bërë i ditur.




