Një shtetas ukrainas i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kievit është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pas shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe amerikane.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e ShBA-së në Tiranë, e cila njoftoi se bashkëpunimi në kohë reale ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit ndihmoi në lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit ukrainas Anatolii Streletskyi, transmeton Klankosova.tv.
Sipas ambasadës, informacioni u shkëmbye me Njësinë e Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, pas së cilës Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin e tij.
Streletskyi kërkohej nga autoritetet në Kiev nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një organizate kriminale.
Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët ukrainas për nisjen e procedurave të ekstradimit të shtetasit ukrainas.
Ambasada amerikane e ka cilësuar rastin si një shembull të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit transnacional.
“Duke shkëmbyer informacion, duke mbështetur autoritetet e zbatimit të ligjit dhe duke punuar së bashku”, thekson Ambasada e ShBA-së, “forcohet lufta kundër krimit transnacional dhe siguria e komuniteteve tona”.





