Asamblisti i PDK-së në Fushë Kosovë, Valon Murseli, ka akuzuar pushtetin lokal për, siç pretendon ai, paracaktim të rezultateve në procesin e rekrutimit në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA).

Murseli, përmes një postimi në Facebook të publikuar më 2 tetor, kishte pretenduar se punësimet në DKA ishin një procedurë e kurdisur.
“Punësimet në DKA në Fushë Kosovë janë një farsë dhe një procedurë e kotë”, kishte shkruar Murseli.
Ai kishte pretenduar se në procesin e rekrutimeve ishin përfshirë pjesëtarë të pushtetit lokal.
“Sepse i gjithë aparati i pushtetit është i përfshirë në rekrutime të kurdisura, duke filluar nga asamblistët, drejtorët, nënkryetari e deri te kryetari”, kishte deklaruar ai.
Murseli kishte shtuar se për të përcaktuar emrat e të pranuarve mjaftonte, sipas tij, vetëm një koment në dokument.
Ndërkaq, në një postim të publikuar sot, më 8 tetor, Murseli ka thënë se lista që kishte publikuar tri ditë para shpalljes së rezultateve zyrtare kishte rezultuar e njëjtë me listën përfundimtare.
“Lista që e publikova 3 ditë para rezultatit zyrtar doli e saktë”, ka shkruar ai.
Sipas Murselit, kjo dëshmon, siç pretendon ai, se emrat e kandidatëve ishin përcaktuar paraprakisht dhe se konkursi kishte shërbyer vetëm si formalitet.
“Kjo është prova që emrat ishin përcaktuar shumë më herët, konkursi ka qenë veç ‘formalitet'”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai ka ngritur akuza për nepotizëm, duke pretenduar se të gjithë personat e pranuar janë familjarë të personave të lidhur me pushtetin lokal.
“Dhe për çudi, të gjithë të pranuarit janë familjarë të rrethit të ngushtë të pushtetit. Familjarë të asambleistëve, drejtorëve, e deri te kryetari”, ka shkruar Murseli.
Ai ka akuzuar pushtetin lokal edhe për mungesë transparence dhe për konkurse të kurdisura.
“Ju që erdhët në pushtet duke bërtitur kundër nepotizmit, sot po e bëni edhe më keq se të gjithë të tjerët para jush”, ka shkruar ai.
Në fund, Murseli ka thënë se Komuna e Fushë Kosovës nuk duhet të trajtohet si pronë e një grupi të caktuar.
“Komuna e Fushë Kosovës nuk është pronë e një grupi të vogël. Ajo ju takon të gjithë qytetarëve, të cilët paguajnë taksa dhe duhet të trajtohen të gjithë në mënyrë të barabartë”, ka përfunduar ai.
Telegrafi ka kontaktuar me Komunën e Fushë Kosovës dhe DKA-në për një qëndrim lidhur me akuzat e Murselit për procesin e rekrutimit, përfshirë akuzat për paracaktim të rezultateve dhe nepotizëm.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Telegrafi është në pritje të përgjigjes nga institucionet përkatëse. Qëndrimi i tyre do të publikohet në momentin që pranohet./Telegrafi/




