Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një deklaratë të fortë politike, duke theksuar se LDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në rrugën e Ibrahim Rugovës dhe në mbështetje të aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.
Abdixhiku ka deklaruar se të jesh pjesë e LDK-së do të thotë të ruash identitetin politik dhe të mos tërhiqesh përballë presioneve, etiketimeve apo kërcënimeve.
“Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai është shprehur gjithashtu se UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe ka theksuar rëndësinë e lidhjes së vendit me SHBA-në dhe NATO-n, transmeton Klankosova.tv.
“UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së ka kritikuar gjithashtu zhvillimet e fundit politike në vend, duke pretenduar se Kosova sot përballet me mungesë institucionesh dhe kohezioni politik.
“Po të ishte dëgjuar vizioni ynë, sot do të kishim President dhe stabilitet balancues. Kosova do të kishte angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës tonë në botë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka ngritur edhe një pyetje politike lidhur me përgjegjësinë për situatën aktuale në vend: “Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”




