Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar sjelljen e Policisë së Kosovës ndaj protestuesve, të cilën e quajti tolerante, ndërsa e paralelizoi me kohën kur vetë protestonte.
Kurti tha se nuk i ka parë pamjet, të cilat tha se mund të jenë më të shumta krahasuar me ato të para 10-15 viteve, transmeton Klankosova.tv.
“Unë mbrëmë deri pas mesnate kam qenë në Kuvend, kurdo që janë mbajtur protestat, këtu kam qenë, asnjëherë nuk kam qenë diku tjetër, dhe nuk i di hollësitë e protestave, nuk e di cilat momente që policia ndërhyu apo jo, çfarë bën protestuesit apo nuk bënë, por e di që tashmë janë dërguar disa raste në IPK për të parë nëse ka pasur ndonjë sjellje të tepruar të ndonjë polici.
Por nëse i shihni xhirimet e sjelljes së policëve, tash ka shumë më shumë xhirime sesa para 10-15 viteve kur unë i organizoja protestat, e shihni që policia është jashtëzakonisht më tolerante dhe profesionale se në atë kohë”, u shpreh duke u buzëqeshur Kurti.
Kujtojmë se Kurti opozitar i quante policët “majmunë”, ndërsa nga pushteti jo rrallëherë ka shprehur krenarinë për institucionin e Policisë së Kosovës. /Klankosova.tv




