Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për krime të rënda me kryetar të trupit gjykues Alban Ajvazi këtë të enjte është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Sabit Mustafës, i cili akuzohet për tentim-vrasjen e një të riu në kryeqytet.

Gazeta Sinjali ka përcjellë seancën e sotme, gjatë së cilës Mustafa ka pranuar fajësinë për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes në tentativë.
Rasti për të cilin po akuzohet Mustafa lidhet me të shtënat me armë zjarri që kishin ndodhur më 16 qershor 2026, në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, ku cak i sulmit dyshohet se ishte F.V., rreth 26-vjeçar.
Siç kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:25, kur ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Sipas informacioneve të raportuara më herët, i akuzuari dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të të dëmtuarit, ndërsa njëri nga plumbat kishte depërtuar në xhamin e pasmë të veturës.
Pavarësisht të shtënave, nga kjo ngjarje nuk ishte raportuar për persona të lënduar.
Pas rastit, hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në koordinim me Prokurorinë, kishin zhvilluar veprime intensive hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post LEX | Akuzohet për tentim-vrasje në Prishtinë, Sabit Mustafa pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje, por jo për tentim-vrasje appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




