Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiun Naim Tërnava.
Sipas njoftimit, Kurti e cilësoi si kënaqësi takimin me myftiun Tërnava, ndërsa ky i fundit e uroi për zgjedhjen e presidentes së re, Justina Shiroka Pula.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe për ecurinë e projekteve të përbashkëta. Temë e bisedës ishin edhe solidariteti dhe humanizmi qytetar, si dhe vlerat shoqërore e kombëtare.
Ata diskutuan gjithashtu për situatën politike dhe zhvillimet në rajon e më gjerë.
“Në takim u diskutua për bashkëpunimin e mirë dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin e humanitetin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare, situatën e dinamikat politike në rajon e më gjerë, por edhe për aktgjykimin e padrejtë dhe të pasaktë në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, si dhe për punën përpara për sukses në apel”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje dhe falënderime për rolin konstruktiv dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës për popullin e Kosovës.
Burimi: RTKLive




