Reshjet e shiut me intensitet të lartë, të përqendruara brenda pak minutash, kanë shkaktuar prezencë të ujit në disa zona të qytetit të Vlorës.

Situata është paraqitur problematike nëpër pjesë të shumta të qytetit, ku qarkullimi raportohet se vijon të jetë i vështirësuar.
“Shqetësuese paraqitet situata në lagjen Pavarësia, ku banorët ankohen për bllokimin e pusetave, të cilat, sipas tyre, janë mbushur me gurë dhe materiale të tjera inerte. Kjo situatë pengon largimin e ujërave dhe bën që ato të qëndrojnë në rrugë e pranë banesave për një kohë të gjatë”, raporton TopChannel.
Banorët druhen se, nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet ose zgjasin për një periudhë më të gjatë, situata mund të përkeqësohet ndjeshëm, deri në pamundësinë për të hyrë në banesat e tyre.
Për këtë arsye, ata kërkojnë ndërhyrje për pastrimin e kanaleve dhe përmirësimin e sistemit të kullimit, në mënyrë që çdo reshje e fortë të mos kthehet në problem për jetën e përditshme të komunitetit.




