Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, dhe komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneralmajorin Roberto Vergori.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, zhvillimet aktuale, si dhe bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.

Kurti shprehu falënderim dhe mirënjohje për kontributin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ai vlerësoi gjithashtu përkushtimin e Aleancës për krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.
Burimi: Dukagjini




