Një gypi, ia pa sherrin gati gjysma e Prishtinës.
Tubi me diametër 150mm shpërtheu para orës 7:00 të mëngjesit e uji vërshoi gjithë rrugën “Luan Haradinaj”.

Pa furnizim me ujë mbeti qendra e qytetit, lagjja Dardania e një pjesë e lagjes Kalabria.
Ekipet e Ujësjellësit “Prishtina” e nxorën tubacionin e prishur për ta zëvendësuar me një tjetër. Mirëpo, sanimi u vështirësua edhe për shkak të shiut për çka teknikët përdornin kova për ta larguar ujin e grumbulluar.
E qytetarët ishin në hall meqë gjithë ditën mbetën pa kryer nevojat elementare.
Andaj, iu desh të përdorin metoda alternative.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, tha se arsyeja e prishjes së tubit dyshohet të jetë vjetërsia meqë është montuar prej viteve të ‘80-ta.
Nga kjo kompani paralajmëruan që furnizimi me ujë të kthehet gjatë ditës. /Klankosova.tv




