Tirana është përfshirë nga tensionet gjatë ditës së dytë të protestës studentore, ku protestuesit kanë hedhur gurë, fishekzjarrë dhe koktej molotov drejt institucioneve shtetërore, ndërsa janë shkaktuar dëme edhe në hapësira publike, biznese dhe objekte private në qendër të kryeqytetit shqiptar.
Protestuesit kanë marshuar drejt Kuvendit, ndërsa gjatë protestës janë dëgjuar edhe thirrje për djegien e objekteve.

Sipas raportimeve, flakët kanë përfshirë stola, kosha mbeturinash dhe pemë, ndërsa dëme janë shkaktuar edhe në banka dhe biznese.
Ndër institucionet drejt të cilave janë hedhur mjete piroteknike dhe koktej molotov janë Ministria e Arsimit, Kuvendi dhe Kryeministria.
Ndërkohë, studentë nga Universiteti i Mjekësisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), Universiteti Politeknik, Fakulteti i Drejtësisë dhe institucione të tjera universitare janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit.
Aty kanë nisur hedhjet e mjeteve piroteknike drejt godinës, ndërsa para saj është pozicionuar edhe policia.
Tensione janë regjistruar edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku disa protestues kanë thyer derën kryesore dhe janë futur brenda ambienteve të fakultetit.
Burimi: Dukagjini




