Rasti i dy të rinjve shqiptarë, 21 dhe 23 vjeç, të cilët pretendojnë se janë dhunuar fizikisht nga pjesëtarë të policisë në Shkup, ka nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

Partia kërkon nisjen e një hetimi të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent, në mënyrë që të sqarohen të gjitha rrethanat e ndërhyrjes policore dhe të përcaktohet përgjegjësia për çdo shkelje të mundshme.
Sipas reagimit të BDI-së, për ngjarjen ekzistojnë versione të ndryshme. Në raportin e brendshëm të policisë, sipas partisë, pretendohet se dy të rinjtë ia kanë marrë pistoletën një polici. Ndërkaq, të rinjtë pretendojnë se arma ka përfunduar në automjet pasi policia ua ka thyer xhamin.
Ata gjithashtu deklarojnë se efektivët kanë qëlluar me armë zjarri, ua kanë shpuar gomat e automjetit dhe më pas i kanë dhunuar fizikisht, pasi ua kanë lidhur duart dhe i kanë shtrirë përtokë.
Rasti mori vëmendje publike pas raportimeve dhe publikimit të fotografive ku dy të rinjtë shihen me lëndime të dukshme në fytyrë. Megjithatë, pretendimet e tyre dhe versioni i paraqitur në raportin policor duhet të verifikohen përmes një hetimi të plotë dhe të paanshëm.
BDI kërkon përgjegjësi institucionale për çdo shkelje të mundshme nga zyrtarët policorë, duke vënë në pah se institucionet e sigurisë kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët dhe të garantojnë të drejtat e dinjitetin e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post BDI kërkon dorëheqjen e zv.ministrit Iseni pas pretendimeve për dhunë policore ndaj dy të rinjve shqiptarë në Shkup appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




