Ministria e Financave kanë njoftuar se kanë organizuar konferencën rajonale “Beyond Compliance: Building Resilient Economies Through Financial Integrity” (Përtej pajtueshmërisë: Ndërtimi i ekonomive reziliente përmes integritetit financiar), në kuadër të Procesit të Berlinit.

Sipas njoftimit, gjatë diskutimeve u theksua se përmbushja formale e standardeve dhe kërkesave ligjore duhet të shoqërohet me zbatim efektiv në praktikë, koordinim institucional dhe shkëmbim të informacionit.
“Meqenëse financat e paligjshme kalojnë kufijtë shtetërorë, luftimi i tyre kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet vendeve të rajonit dhe partnerëve ndërkombëtarë…”, u tha në njoftim.
Ky aktivitet, sipas njoftimit, shënon herën e parë që Qeveria e Kosovës organizon një ngjarje në kuadër të këtij procesi, si dhe aktivitetin e dytë të Procesit të Berlinit që mbahet në Prishtinë gjatë këtij viti.
Në konferencë, fjalë rasti mbajtën ministri i Financave, Hekuran Murati, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, që përfaqëson shtetin që kryeson Procesin e Berlinit këtë vit, si dhe zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, që përfaqëson shtetin iniciues të këtij procesi.





