Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar 27-vjetorin e themelimit të kësaj partie, duke thënë se ajo lindi në shpirtin e rezistencës, në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë për guxim, vizion dhe përkushtim.
Hamza ka theksuar kontributin e PDK-së në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke përmendur edhe ish-krerët e kësaj partie, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, njofton Dukagjini.

Ai ka thënë se përgjegjësia e partisë, pas 27 vjetësh, është ruajtja e trashëgimisë politike dhe vazhdimi i angazhimit për një Kosovë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për qytetarët.
“Partia Demokratike e Kosovës lindi në shpirtin e rezistencës, atëherë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për forcë, guxim, vizion dhe përkushtim. Jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Jemi partia e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, që nuk u thyen dhe nuk u përkulën kurrë. Sot mbushim 27 vjet dhe përgjegjësia jonë është ta ruajmë trashëgiminë politike dhe ta vazhdojmë angazhimin për një Kosovë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për qytetarët e saj”, ka shkruar Hamza.
Burimi: Dukagjini




