Analisti politik Jasmin Mujanoviq ka thënë se shqetësimi kryesor lidhur me lobimin e udhëheqjes së Republikës Sërpska në Uashington nuk është vetë aktiviteti i lobimit, por pasojat e tij gjeopolitike dhe të sigurisë.
Në një reagim në platformën X, Mujanoviq ka theksuar se lobimi është aktivitet i ligjshëm në SHBA, por ka ngritur pikëpyetje nëse të gjitha shpenzimet e këtij aktiviteti janë deklaruar siç duhet, veçanërisht ato që lidhen me disa figura të mediave.

Ai ka përmendur gjithashtu paqartësitë lidhur me atë që mund të jetë përfshirë në marrëveshjen për lehtësimin e sanksioneve amerikane ndaj Milorad Dodikut dhe regjimit të tij në tetor të vitit 2025.
Sipas Mujanoviqit, shqetësimi kryesor është se pse zyrtarë apo persona amerikanë do të punonin për përmirësimin e marrëdhënieve me një udhëheqje që, sipas tij, vepron si përfaqësuese e interesave të Kremlinit, mban lidhje të ngushta me Kinën dhe cenon interesat e sigurisë kombëtare amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Mujanoviq ka akuzuar udhëheqjen e Republikës Sërpska se synon të minojë Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe ka përmendur lavdërimin e gjenocidit si një tjetër shqetësim serioz.
Ai ka theksuar se, ndonëse lobimi është pjesë e politikës amerikane, lobimi në emër të ekstremistëve dhe aleatëve të kundërshtarëve të SHBA-së përbën një çështje të veçantë dhe, sipas tij, shpjegon arsyen e këtij skandali.
Burimi: RTKLive




