Emri s’iu përmend fare.
Por pavarësisht kësaj, ish-deputeti Gani Geci të hënën mbrëma qëndroi para objektit të Televizionit Dukagjini, teksa gazetari Lirim Mehmetaj po fliste për qëndrimet e tij për Fatos Gecin.

Mehmetaj qe i prerë në atë që shkroi për deputetin Geci, teksa bëri të ditur se kanosjen e ka denoncuar tek organet e rendit.
“E kam bërë atë postim, prej familjes Geci më kanë kontaktu më kanë kërku me fshi, iu kam thënë jo. Pastaj kanë kërku me u taku kanë ardh në zyre, më kanë thënë më fshi ju kam thanë jo, kanë thënë me ndërru përmbajtjen ju kam thanë prape jo”, u shpreh Mehmetaj.
Menjëherë pas emisionit “Debat Plus”, kur Mehmetaj u largua nga hapësirat e televizionit, Geci është ndaluar nga Policia e Kosovës.
Në një përgjigje për Dukagjinin, Prokuroria Themelore bëri të ditur hapat që janë ndërmarrë.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftoj se me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë me inicialet G.G., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari G.G., ka kanosur gazetarin L.M., për shkak të ushtrimit dhe detyrës së tij profesionale”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Por, rasti ndaj Mehmetajt s’është i vetmi sulm ndaj fjalës së lirë kohët e fundit.
“Për AGK-në këto sulme janë të papranueshme, janë të rrezikshme, nuk duhet të ndodhin, nuk duhet t’i ndodhin askujt sepse askujt nuk mund t’i mohohet e drejta e shprehjes, sepse atë në e mbrojmë më fanatizëm”, u shpreh kreu i AGK-së, Xhemajl Rexha.
Rexha tha se pret reagim edhe nga institucionet.
“Do të donim që të reagonte, ka një detyrë të re dhe do të donim të dëgjonim nga presidentja Justina Shiroka Pula dhe qeveria, dënim dhe një distancim kundër këtyre akteve që kanë ardhur kundrejt këtyre dy gazetarëve”
Për sulmet dhe linçimet ndaj gazetarëve kanë reaguar edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi të cilët kanë dënuar qasjen e tillë kundrejt lirisë së shprehjes.
Burimi: Dukagjini




