Arben Damoni, koordinator i programeve në Njësinë për Transformim Digjital në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike (MDAP), mori pjesë si panelist në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor 2026, në Mal të Zi, në panelin me temë “Digital Local Government: Bringing Public Services Closer to Citizens”.
Gjatë diskutimit, ai theksoi rëndësinë e platformave të përbashkëta digjitale për të mundësuar ofrimin e shërbimeve publike edhe nga komunat me kapacitete të kufizuara financiare dhe njerëzore, pa pasur nevojë që secila komunë të zhvillojë sisteme të veçanta.

Duke prezantuar qasjen e Kosovës, Damoni vuri në pah integrimin e shërbimeve komunale përmes eKosova-s dhe përdorimin e moduleve të përbashkëta digjitale, të cilat mundësojnë shfrytëzimin më efikas të burimeve dhe lehtësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Ai gjithashtu prezantoi progresin e Kosovës në zgjerimin e infrastrukturës së internetit me shpejtësi të lartë, përmes projektit KODE, si dhe rëndësinë e zhvillimit të kompetencave digjitale për një administratë publike më të përgatitur për transformimin digjital.
Përfshirja e të gjitha komunave në këtë proces është thelbësore për të siguruar që përfitimet e digjitalizimit të jenë të qasshme për qytetarët, pavarësisht vendbanimit të tyre.
Pjesëmarrja e MDAP-së në këtë samit kontribuon në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal për modernizimin e qeverisjes lokale dhe afrimin e shërbimeve publike me qytetarët.
Burimi: RTKLive




