Në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të zhvilluar në Luksemburg, u formalizua mbyllja e Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, që lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, Thomas Byrne, që përfaqëson Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit.

Ministri Byrne rikujtoi se, pas përmbushjes së piketave të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit për kapitujt 23 dhe 24 në muajin maj, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë negociues në korrik, ndërsa mbyllja e Kapitullit 20 dëshmon vijimësinë e reformave dhe angazhimin e vendit për anëtarësimin në BE.
Ai inkurajoi Shqipërinë të ruajë ritmin e reformave dhe të vijojë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke nënvizuar se raporti i vitit 2026 do të shërbejë për të vlerësuar arritjet dhe për të identifikuar fushat ku nevojitet progres i mëtejshëm.
Sipas tij, zbatimi i reformave jo vetëm përafron vendet kandidate me standardet e Bashkimit Evropian, por kontribuon edhe në transformimin e institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë.
Në përfundim, ai shprehu angazhimin e Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së për të avancuar më tej procesin e negociatave me Shqipërinë, duke synuar mbylljen e kapitujve të tjerë gjatë mandatit të saj.
Rama: Pa e ngritur flamurin shqiptar në BE, nuk ndalemi
Pas mbylljes së përkohshme të Kapitullit 20, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një videomesazh nga Luksemburgu, ku së bashku me ekipin negociator shqiptar ka shënuar mbylljen e një tjetër kapitulli në procesin e integrimit evropian.
Sipas RTSH-së, Rama ka theksuar vendosmërinë për të vazhduar procesin e negociatave deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ja ku jemi prapë. Po, ne jemi. Po këtu jemi. Prapë një kapitull u mbyll. Se pa e sjellë flamurin e Shqipërisë këtu dhe pa e vënë në krye, sepse është Albania me A dhe është më i bukuri flamur i Europës, ne nuk i ndahemi kësaj pune. Dhe kush nuk na ndahet ne, thjesht na ndihmon që ta bëjmë më shpejt këtë punë. Kurse ata që nuk duan, duan apo s’duan, prapë do të gëzohen kur ne do të vendosim flamurin e Shqipërisë”, ka deklaruar Rama në videon e publikuar nga Luksemburgu.
Burimi: RTKLive




