Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot nga Dibra, protestat e studentëve para Ministrisë së Arsimit.
Gjatë “Foltores së Ripërtëritjes” në Dibër, Berisha u shpreh se “studentët bënë një përballje epike me falangat e Ramës”.

Ndaj, sipas tij, edhe PD, në emër të interesave më jetike të vendit duhet të ndërmarrë ripërtëritjen e saj.
“Të gjithë ata që qëndruan në kushte shumë të vështira janë heronjtë e mi. Por sot kërkohet që krahas tyre të bashkohen vlera të tjera të shumta, të rinj, gra, vajza, në mënyrë që t’i japim duart kësaj të keqe të madhe dhe të përpunojmë së bashku vizionin më të mirë për Shqipërinë”, shtoi Berisha.
Sipas tij, Kuvendi i PD-së i kërkon çdo demokrati që motoja e tij të jetë ripërtëritja.
“Kjo është moto vetjake për çdo njeri, duke filluar nga kryetari i saj. Ne duhet të shohim si duhet të ripërtërijmë qëndrimet tona; si të ripërtërijmë funksionin tonë; si të ripërtërijmë radhët tona. Shqipëria nga ne pret dhe unë kam besimin më të madh se ne do t’i përgjigjemi me sukses këtyre kërkesave”, tha Berisha.
Burimi: RTKLive




