Krista Pike, gruaja e dënuar me vdekje në Tenesi, e cila javën e kaluar i mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse gjatë një ekzekutimi të dështuar, është zgjuar në spital dhe ka nisur të flasë.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i saj, Randy Spivey, gjatë një seance dëgjimore në një gjykatë të Tenesit. Sipas tij, gjendja e Pike kishte qenë aq e rëndë sa të hënën në mbrëmje mjekët menduan se ajo kishte pësuar vdekje të trurit dhe po përgatiteshin që të nesërmen t’ia hiqnin aparaturat e mbështetjes në jetë.
Megjithatë, të martën, Pike rifitoi vetëdijen dhe nisi të fliste. Fjalët e para të saj, sipas avokatit, ishin: “Ku jam unë?” dhe “Kush je ti?”.
Spivey tha se Pike është e zemëruar dhe e çorientuar, ndërsa po përpiqet të rikthejë kujtesën. Ajo vazhdon të qëndrojë në spital dhe gjendja e saj shëndetësore mbetet e rënduar.
“Ka një mpiksje gjaku në njërin krah. Ka pneumoni. Nuk mund të gëlltisë ende, kështu që nuk ka ngrënë”, deklaroi avokati.
Ai shtoi se të dy krahët dhe këmbët e Pike janë shumë të fryra dhe ende nuk dihet se sa lëvizshmëri do të arrijë të rikuperojë.
Gjykata urdhëron ruajtjen e provave nga ekzekutimi
Pas seancës, gjyqtarja Aisha Miles miratoi kërkesën e mbrojtjes për ruajtjen e të gjitha provave dhe dokumenteve që lidhen me ekzekutimin e dështuar.
Urdhri përfshin edhe materialet që ndodheshin në dhomën e ekzekutimit, përfshirë tretësirën vdekjeprurëse, shiringat dhe pajisjet intravenoze.
Avokatët e Pike kërkojnë që këto prova të ruhen për t’i përdorur në një padi të mundshme kundër shtetit të Tenesit. Ata kanë kërkuar gjithashtu më shumë transparencë lidhur me mënyrën se si u zhvillua ekzekutimi.
Pike i mbijetoi ekzekutimit më 30 shtator, pasi autoritetet i administruan dy doza të pentobarbitalit. Ajo vazhdoi të merrte frymë dhe më pas u dërgua në spital, ku u vendos në aparaturë për mbështetjen e frymëmarrjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post I mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse, e dënuara me vdekje zgjohet në spital, avokati: Është e zemëruar dhe e hutuar appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




