Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk janë konsultuar për ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së djeshme (6 tetor).

Kështu është thënë në një përgjigje për gazetaren e Klan Kosova, Rina Mujku, nga ky institucion.
“DhSK nuk janë konsultuar. Për momentin, nuk kemi koment tjetër”, është thënë në përgjigjen e shkurtë ndaj pyetjes që u është parashtruar para se të merrej vendimi që ndryshimet e propozuara nga PDK për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të miratoheshin edhe në lexim të dytë në Kuvend të martën, raporton Klankosova.tv.
Më tej, në përgjigje është theksuar se Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre për të garantuar procese gjyqësore “të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”.
Kuvendi i Kosovës, të martën i ka votuar edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara në Ligjin për DhSK dhe ZPS, duke përmbyllur kështu procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga PDK-ja.
Ligji i ndryshuar prek disa prej elementeve kryesore të funksionimit të Gjykatës Speciale: juridiksionin, periudhën kohore që mbulon, dënimet, vendin ku ato mbahen dhe trajtimin e rasteve që do të mbeteshin jashtë kompetencës së saj. /Klankosova.tv




