Lamtumira e Lionel Messit nga kombëtarja e Argjentinës u shoqërua edhe me një moment të pazakontë, pasi ylli argjentinas humbi durimin me një futbollist të Beninit.

Pas fitores së lehtë 3-0 të “Albicelestëve” ndaj përfaqësueses afrikane, disa futbollistë të Beninit tentuan me çdo kusht të siguronin një kujtim me legjendën argjentinase.
Disa prej tyre nxorën telefonat për të fotografuar Messin, ndërsa njëri prej tyre ishte veçanërisht këmbëngulës dhe vazhdimisht e ndiqte kapitenin argjentinas në fushë.
Fillimisht, Messi e injoroi sjelljen e tij, duke dashur të shijonte në qetësi momentin e veçantë dhe festën me bashkëlojtarët e tij pas ndeshjes së fundit me fanellën e Argjentinës.
Megjithatë, futbollisti i Beninit nuk hoqi dorë dhe vazhdoi t’i qëndronte pranë, duke bërë që durimi i Messit të shteronte.
Në një moment, 39-vjeçari e shtyu lehtë futbollistin kundërshtar për t’i bërë të qartë se dëshironte të kishte hapësirë për të festuar me ekipin e tij.
“Lërmë”, dëgjohet t’i thotë Messi, në një moment që u kap nga kamerat dhe më pas u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale.
Megjithatë, ky moment nervozizmi ishte vetëm një episod i vogël në një mbrëmje të veçantë për kapitenin argjentinas, përballë më shumë se 90 mijë tifozëve.
Messi e mbylli karrierën e tij me Argjentinën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar dy asistime në fitoren 3-0 ndaj Beninit. /Telegrafi/




