Gjykata Themlore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit A.B., për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari A.B., u shpall fajtor dhe iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vjet dhe gjobë në shumë pesë mijë euro. Në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 03 prill 2026.
Sipas komunikatës, është konfiskuar substanca narkotike e llojit Marihuanë me peshë 4855.9 gram dhe një automjet, Ford Focus, pronë e të pandehurit.
“I pandehuri A.B., akuzohet se “më datën 03 prill 2026, rreth orës 12:30 minuta, në Rr. “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë, i pandehuri, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim, posedon dhe transporton substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që ditën kritike, pasi Policia e Kosovës(DHKOKR) kishte siguruar informacion dhe më pas ka vëzhguar të pandehurin, i cili me automjetin e tij “Ford Focus”, me targa të regjistrimit ..-…-.., ndalet në parkingun e restorantit “O. E. H.B.”, dhe pasi hetuesit kontaktojnë dhe identifikojnë të pandehurin, menjëherë, në mënyrë urgjente, është kryer kontrolli në automjetin e tij, ku në ulësen e pasme janë gjetur dhjetë qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar për llojin marihuanë (një qese najloni me ngjyrë të gjelbër, brenda së cilës kanë qenë paketimet si në vijim: 536 gr, 559 gr, 535 gr, 535 gr, 536 gr, si dhe një qese letre, brenda së cilës kanë qenë paketimet si në vijim: 560 gr, 534 gr, 544 gr, 538 gr, 536 gr), në peshë të përgjithshme prej 5.413 gr, të cilat janë sekuestruar nga hetuesit policorë, me ç’rast, pas ekzaminimit nga AKF-ja, sipas raportit, datë 11 shtator 2026, është konstatuar substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 4855.9 gram”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.




