Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin Universitar të Radiologjisë, njofton se është duke u kryer servisimi i aparaturave për tomografi të kompjuterizuar (CT), të cilat janë jashtë funksionit, ndërsa po bëhen përpjekje që ato të rikthehen sa më shpejt në përdorim.

Nga Ministria bëjnë të ditur se që nga fillimi i kësaj jave është bërë riorganizimi i referimit të pacientëve, me qëllim që ata të marrin në kohë shërbimin e nevojshëm shëndetësor.
“Për sigurimin e vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor, trajtimin pa pengesa të pacientëve urgjentë dhe diagnostikimin në kohë me CT, deri në rikthimin e aparaturave në funksion, pacientët po trajtohen, përkatësisht incizimet po kryhen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit ‘8 Shtatori’ dhe në Klinikën Kirurgjikale ‘Shën Naum Ohri’ në Shkup”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga Ministria shtojnë se shëndeti dhe siguria e pacientëve mbeten prioritet. Për këtë arsye, deri në rikthimin e aparaturave në funksion, pacientët e referuar për tomografi të kompjuterizuar do të pranohen dhe do t’u kryhen incizimet sipas këtij orari:
Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, Departamenti për Radiologji Diagnostike dhe Intervente: nga ora 08:00 deri në 14:00;nga ora 20:00 deri në 02:00″.
“Klinika për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohri” – Shkup: nga ora 14:00 deri në 20:00; nga ora 02:00 deri në 08:00”.
“Organizimi është i përkohshëm dhe do të zbatohet vetëm deri në rikthimin në funksion të aparaturave të Institutit Universitar të Radiologjisë. U bëjmë thirrje pacientëve dhe mjekëve që në mënyrë konsekuente ta respektojnë orarin e përcaktuar”, thuhet më tej në njoftim.
Ministria sqaron se për çdo ndryshim të situatës, si dhe për rikthimin e regjimit të rregullt të punës, të gjitha institucionet relevante shëndetësore, shërbimet dhe publiku do të informohen në kohë.




