Avokati i Angelina Jolie ka akuzuar Brad Pitt se po përpiqet të kontrollojë aktoren dhe mënyrën se si paraqitet përballja e tyre ligjore, pas një vendimi të fundit të gjykatës.

Një gjyqtar hodhi poshtë kërkesën e Pitt për ta detyruar Jolie të dorëzonte të dhëna financiare për periudhën 2017–2019.
Megjithatë, kërkesa mund të rikthehet nëse gjatë dëshmisë së saj dalin në pah të ardhurat ose gjendja financiare e aktores për këto vite, shkruan DailyMail.
Kërkesa e ekipit ligjor të Pitt lidhet me pretendimin e Jolie se pas ndarjes së tyre në vitin 2016 ajo e kishte lënë kryesisht pezull karrierën dhe kishte humbur vite të ardhurash.
Avokatët e tij pretendojnë se ajo kishte rënë dakord të dorëzonte dokumente financiare për vitet 2017–2021, por më pas kishte paraqitur dokumente vetëm për vitet 2020 dhe 2021.
Në deklaratën e tij për Daily Mail, avokati i Jolie kritikoi kërkesat e Pitt, duke thënë se ato janë pjesë e përpjekjeve të tij për ta kontrolluar aktoren dhe rrëfimin e çështjes.
Ai argumentoi se Jolie ka kërkuar prej kohësh të shkëpusë jetën e saj personale dhe financiare nga ish-bashkëshorti.
Avokati pretendoi gjithashtu se Pitt kishte tentuar ta përdorte largimin e Jolie nga Miraval për ta shtyrë atë drejt një marrëveshjeje konfidencialiteti, e cila sipas tij do të mbulonte pretendimet për abuzim ndaj saj dhe fëmijëve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Pitt nuk kanë dhënë ende një përgjigje për këto akuza. /Telegrafi/




