Sinjali ka siguruar ekskluzivisht emrat e dy personave të arrestuar në operacionin e madh antidrogë në fshatin Velikincë të Gjilanit, ku Policia sekuestroi 53 kilogramë marihuanë, me vlerë të përllogaritur prej rreth 80 mijë eurosh në tregun vendor.

Siç merrr vesh Sinjali, bëhet fjalë për Burim Ademin, rreth 38-vjeçar dhe Sadri Halimin, rreth 55-vjeçar që dyshohen se po përgatiteshin për transportimin dhe shitjen e sasisë së madhe të narkotikëve jashtë Kosovës, ndërsa të dy janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se operacioni është realizuar më 16 tetor, rreth orës 21:40, në kuadër të hetimeve disa mujore të koduara “MALI”, të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Gjatë ndërhyrjes policore janë arrestuar Ademi dhe Halimi, të cilët dyshohet se ishin në fazën e përgatitjes për transportimin dhe shitjen e sasisë së madhe të narkotikëve.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, hetimet kishin ngritur dyshimet se marihuana ishte destinuar për tregun ndërkombëtar, ndërsa ndërhyrja është realizuar në kohën kur dyshohet se po bëheshin përgatitjet për transport.
Në kuadër të operacionit, Policia ka kontrolluar dy shtëpi dhe objektet përcjellëse, ndërsa sasia e madhe e substancës së dyshuar narkotike është zbuluar në bagazhin e njërës prej veturave.
Përveç 53 kilogramëve marihuanë, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe dy telefona celularë dhe dy automjete me targa vendore.
Operacioni është mbështetur nga dy ekipe të Njësisë Reaguese të Shpejtë në Gjilan dhe njësitet e Forenzikës Rajonale, të cilat kanë dokumentuar dhe administruar provat e gjetura.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, Burim Ademi dhe Sadri Halimi janë ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar dhe destinacionit të narkotikëve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit që u kapën me 53 kilogramë marihuanë në Gjilan, droga kap vlerën e rreth 80 mijë eurove appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




