Astrit Haraqia, Jeton Stanovci, Albana Xhemajli-Ramadani, Alban Maloku dhe Gëzim Feka janë pesë personat që, sipas burimeve të Gazetës Sinjali, janë arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë “Heshtja”, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, automjete luksoze dhe mijëra euro para të gatshme.

Operacioni është zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për trafikim dhe shpërndarje të dyshuar të narkotikëve.
Sinjali ka siguruar identitetet e pesë personave që, sipas burimeve të redaksisë, janë në mesin e të arrestuarve: Astrit Haraqia, Jeton Stanovci, 42 vjeçar, Albana Xhemajli-Ramadani, 26 vjeçare, Alban Maloku, 30 vjeçar dhe Gëzim Feka, 38 vjeçar.
Sipas informacioneve të raportuara për operacionin, gjatë aksionit janë arrestuar gjithsej gjashtë persona, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, automjete luksoze dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Në mesin e automjeteve të sekuestruara janë raportuar Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan.
Po ashtu, janë raportuar rreth 16 mijë euro para të gatshme, ora luksoze Rolex dhe Franck Muller, telefona, pajisje elektronike, një armë zjarri, municion dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për paketimin e narkotikëve.
Vlera e përgjithshme e pasurisë së sekuestruar është raportuar të jetë rreth 301 mijë euro.
Hetimet lidhen me dyshimet për veprimtarinë e një grupi të organizuar në trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Roli konkret i secilit prej pesë personave të identifikuar nga burimet e Sinjalit nuk është bërë publik nga organet e hetimit.
Me vendim të Prokurorisë, gjashtë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





