Dani Carvajal ishte vetëm një hap larg rikthimit në futbollin spanjoll, por një pengesë e papritur ka vënë në pikëpyetje transferimin e tij te Getafe.

Mbrojtësi 34-vjeçar kishte arritur marrëveshje me klubin madrilen për kushtet personale dhe, sipas AS, kishte kaluar edhe testet mjekësore. Megjithatë, procedura e transferimit ka ngecur pasi LaLiga nuk ka dhënë dritën jeshile për regjistrimin e kontratës.
Problemi lidhet me vlerën financiare të marrëveshjes. LaLiga, në kuadër të kontrollit të saj financiar, mund të përcaktojë një vlerë të parashikuar për kontratën e një futbollisti, e cila përdoret për të llogaritur ndikimin e tij në kufirin financiar të klubit. Kjo vlerë nuk nënkupton domosdoshmërisht pagën reale që do të marrë lojtari.
Në rastin e Carvajalit, autoritetet e LaLigës e kanë konsideruar pagën e dakorduar me Getafen shumë të ulët në raport me profilin e mbrojtësit dhe të ardhurat që ai ka pasur gjatë viteve të fundit.
Kjo është bërë problem për Getafen, e cila aktualisht operon shumë pranë kufirit të saj financiar. Nëse Carvajal regjistrohet me vlerën e llogaritur nga LaLiga, klubi nuk do të kishte hapësirën e nevojshme financiare për ta përfshirë atë në skuadër.
Presidenti i Getafes, Angel Torres, e pranoi se situata është komplikuar, duke lënë megjithatë të hapur mundësinë që gjërat të ndryshojnë.
“Në thelb, marrëveshja ka dështuar. Në futboll, ajo që është e bardhë sot mund të jetë e zezë nesër”, deklaroi Torres.
Megjithatë, historia nuk duket të ketë marrë fund. Sipas AS, përfaqësuesit e Carvajalit pritet të rikthehen në Spanjë më 12 tetor dhe atëherë mund të zhvillohen negociata të reja për të gjetur një formulë që do t’i mundësonte Getafes regjistrimin e ish-mbrojtësit të Real Madridit./Telegrafi/




