Bajrush Xhemajli rrëfen për torturat në burg: Nuk ua bëj hallall atyre që më dëmtuan

Bajrush Xhemajli rrëfen për torturat në burg: Nuk ua bëj hallall atyre që më dëmtuan

Bajrush Xhemajli rrëfen për torturat në burg: Nuk ua bëj hallall atyre që më dëmtuan

Veprimtari Bajrush Xhemajli ka rrëfyer për torturat dhe vuajtjet që përjetoi gjatë burgosjeve, si dhe për komunikimin që arriti të krijonte përmes një gardiani shqiptar, i cili, sipas tij, e ndihmoi të përcillte informacione jashtë burgut.

Në një rrëfim në emisionin “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Xhemajli foli edhe për dyshimet për spiunim brenda grupit të tij dhe për sakrificat e bëra për lirinë e Kosovës.

Sponsor 3M Express

Xhemajli tregoi se torturat dhe gjendja e rëndë fizike në burg e kishin çuar deri në pikën kur, siç u shpreh, i kishte shkuar mendja edhe te vetëvrasja.

“Shumëherë të vjen edhe veten me mbytë, ta them sinqerisht, që me u shliruar njëherë, por edhe tjetra me ndërpre, që mos me shku më andej”, rrëfeu Xhemajli.

Ai tregoi se gjatë burgosjes së dytë ishte në gjendje të rëndë fizike, me duar dhe këmbë të ënjtura, aq sa mezi mund të ngrihej në këmbë.

Sipas tij, në atë kohë shumica e gardianëve ishin serbë, ndërsa një gardian shqiptar iu afrua dhe i foli në gjuhën shqipe.

Xhemajli shprehu mirënjohje për Naser Fazliun, të cilin e cilësoi si person që e kishte ndihmuar në rrethana të vështira. Ai tregoi se një gardian, i cili kishte qenë shok me Elmi Pirkun, iu afrua dhe i foli shqip, duke i kërkuar të ngrihej dhe të dilte për të mbushur ujë.

“Nasër Fazliun së pari e falënderoj dhe jam mirënjohës e borxhli, mund të them, se shumë më ka shpëtu, më ka shpëtu prej shumë që nuk ke pasë kah ia mbanë. Po flas për burgun e dytë në këtë rast. Mua herën e dytë më zunë ashtu si më zunë me deklarata e të gjitha të tjerëve”, tha Xhemajli.

Ai përshkroi edhe momentin kur gardiani e nxori në korridor, duke i treguar se ishte dërguar nga Elmi Pirku. Sipas Xhemajlit, gardiani e pyeti nëse kishte ndonjë mesazh për t’ia përcjellë atij.

“Kur hyri, ai më foli shqip, e thashë: ‘Eu, shqip ky që po fol mirë’. Më tha: ‘Çohu në këmbë, çka je shtri aty?’. I thashë: ‘Nuk po mundem’. Tha: ‘More, çohu po të them, se tash të hy’. E thashë, me qenë serb duhet me u çu, thashë hajt po çohem. Tha: ‘Kape këtë kantë e mbushe me ujë’. Thashë: ‘Unë me mbushë me ujë?’. I thashë: ‘Nuk mundem’. Tha: ‘Ani mo, se mbush shumë, veç pak, edhe dil pastroj sytë se edhe pak freskohesh’”, rrëfeu ai.

Xhemajli tha se fillimisht nuk e kuptoi arsyen e sjelljes së gardianit, por më pas kuptoi se ai po përpiqej t’i krijonte mundësinë për të komunikuar pa u dëgjuar nga të tjerët.

“Kur më tha kështu, thashë ky ka diçka, se me të lutë. Ti duhesh me lutë atë a të shkojë, se është uji i nxehtë e vera e sene, me shku me mbushë, e ai po më lutë vetëm. Edhe dola, kadal-kadalë dola, tamam kam dalë në korridor, më tha: ‘Çka ke me i thënë Elmiut?’. I thashë: ‘Po kush je ti që me i thënë Elmiut unë?’. Thashë: ‘Jo, nuk po të njoh’. Tha: ‘Më ka çu Elmi Pirku se është në ndërrim, por hajde hymë këtu’. I lëshoi çezmat krejt, tha, se naj sen mundet me pasë e mos të ndihet”, tregoi Xhemajli.

Gjatë asaj bisede, sipas tij, ai arriti të përcillte një mesazh për Ekrem Jasharin dhe një celulë që kishte krijuar pak javë më parë. Xhemajli tha se ishte i vetëdijshëm për rrezikun, por ishte i gatshëm të sakrifikonte për t’u mundësuar të tjerëve të shpëtonin.

“I thashë: ‘Le të ikë Ekrem Jashari me një celulë që e kisha kriju para dy javësh, atë po e sakrifikoj, se ti je me dy deklarata’. Unë i kisha që isha për Ferizaj, ata mirë që nuk e dinin që unë isha zgjedhur edhe për Kosovë. Ai tha: ‘Deri nesër në këtë kohë, unë shkoj nesër në mëngjes, i gjej ata, e gjej Elmiun e ai ata. E ti mos i trego menjëherë këto çka po thu, se i zënë’. I thashë: ‘Jo, jo, e di’. Tha: ‘Bile deri në këtë kohë nesër’”, rrëfeu ai.

I pyetur nëse personat për të cilët kishte folur arritën të iknin, Xhemajli u përgjigj se ata ia dolën. Sipas tij, largimi i tyre ishte i domosdoshëm për të shmangur pasoja të mëtejshme.

“Po, po, patën ikë ata të gjithë dhe dëmi nuk u bë, por ajo avari u deshtë të bëhet pa qare, se nuk u largonin”, tha Xhemajli.

Gjatë intervistës, Xhemajli tregon edhe nëse kishte dyshime për personin që mund ta kishte spiunuar grupin – por nuk përmend ndonjë emër konkret, veçse la të kuptohej se gjatë burgosjeve kishte pasur dyshime se informacione ishin dhënë nga dikush.

“Disa herë jam burgos. Unë edhe pata ikë në ’81-shin, më 13 tetor, e ilegal u deshtë me qëndru 14 muaj. Ata më qitën disa deklarata e pastaj edhe tash që po të them, a e sheh se gjithherë dikush ekziston kështu që…”, u shpreh ai.

Në fund të rrëfimit, Xhemajli foli për sakrificat e njerëzve që kontribuuan për lirinë e Kosovës, duke përmendur edhe familjen Jashari. Ai tha se liria mbetet satisfaksioni i tij më i madh dhe se, kur i kujton sakrificat e të tjerëve, e kupton peshën e çmimit që është paguar për të.

“Satisfaksion për mua deri në fund është liria. Njerëzit, Jasharajt kanë shku me ka krejt. Jo, shyqyr me ka krejt, por kanë shku aq shumë sa, kur i përmendi disa sakrifica, them dyqysh si me marrë i them, se çfarë sakrifica kanë bërë të tjerët. Kjo është meqë ka ardhë liria, sa një cigare duhan nuk asi”, tha Xhemajli.

I pyetur nëse ua kishte bërë hallall personave që e kishin dëmtuar, ai u përgjigj se nuk mund t’i falte, duke shpjeguar se pasojat nuk kishin prekur vetëm atë personalisht, por edhe njerëz të tjerë veçse pavarësisht dëmeve që kishte përjetuar, ai vazhdon të jetë krenar për atë që ka bërë.

“Nuk ua bëj hallall. A e di pse? Veç për faktin që nuk është veç e imja, nuk jam dëmtuar veç unë. Nëse isha dëmtuar veç unë, isha mendu a me ua bë hallall a jo, por ata me atë fytyrë le të mbesin, e liria u fitu. Ata janë me marre, jo unë. Unë jam krenar për krejt punën që kam bërë deri sot”, deklaroi Xhemajli.

 

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Haziri: Mosvotimi i Ligjit për Specialen ishte qëndrim konsistent i LDK-së

Haziri: Mosvotimi i Ligjit për Specialen ishte qëndrim konsistent i LDK-së

BE-ja me kufizime të reja për makinat kineze, ja çfarë po planifikohet

BE-ja me kufizime të reja për makinat kineze, ja çfarë po planifikohet

Damoni prezanton në samitin rajonal modelin e Kosovës për shërbimet digjitale

Damoni prezanton në samitin rajonal modelin e Kosovës për shërbimet digjitale

Bajrush Xhemajli rrëfen për torturat në burg: Nuk ua bëj hallall atyre që më dëmtuan | Momenti