Aleanca ka mbajtur mbledhjen e radhës të Kryesisë, ku ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas zgjedhjes së Presidentes dhe votimit të ligjit lidhur me Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një njoftimi, Aleanca ka rikonfirmuar qëndrimin e saj si opozitë, duke theksuar se synon të ofrojë alternativa konkrete përballë asaj që e cilëson si keqqeverisje.
“Aleanca rikonfirmon pozicionin e saj të palëkundur si një zë i fuqishëm dhe konsistent opozitar. Përballë keqqeverisjes, ne nuk do të mjaftohemi vetëm me kritikë, por do të mbrojmë interesin shtetëror duke ofruar alternativa konkrete dhe të matshme për vendin”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me proceset në Hagë, kjo parti ka theksuar se qëndron në mbrojtje të luftës çlirimtare dhe ka kërkuar që ndihma ligjore për krerët e UÇK-së të trajtohet me seriozitet nga institucionet shtetërore.
“Në lidhje me proceset në Hagë, qëndrimi ynë mbetet i prerë. Aleanca qëndron fuqishëm në mbrojtje të luftës çlirimtare dhe kërkon me ngulm që ndihma ligjore për krerët e UÇK-së të trajtohet me seriozitetin më të lartë shtetëror. Ky proces duhet të zhvishet menjëherë nga interesat dhe përzierja e politikës ditore”, thuhet në komunikatë.
Aleanca ka bërë të ditur se ka diskutuar edhe për fuqizimin e strukturave të saj në të gjitha nivelet organizative. Sipas njoftimit, këtë të shtunë në Prishtinë do të mbahet një takim i gjerë me strukturat e partisë, ku do të prezantohen platforma politike dhe hapat e ardhshëm.
Në mbledhje është aprovuar edhe raporti financiar tremujor, ndërsa Kryesia ka vendosur që nënkryetari i parë i AAK-së, Besnik Tahiri, deri në mbledhjen e ardhshme të paraqesë propozim-statutin dhe propozim-programin për Akademinë Politike të së Djathtës të Aleancës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Aleanca kërkon që ndihma ligjore për ish-krerët e UÇK-së të trajtohet me seriozitetin më të lartë shtetëror: Të zhvishet nga interesat politike appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




