Gazetari i RTK-së, Alban Selimi, ka raportuar nga vendi i ngjarjes se arrestimi ka ndodhur pas rreth tri orësh, gjatë të cilave në vendngjarje kanë qëndruar njësitë e Policisë së Kosovës, ekipet e zjarrfikësve dhe ato të emergjencës mjekësore.
Sipas raportimit të tij, ngjarja ka ndodhur në objektet e vjetra banesore që ndodhen pranë Qendrës së Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, ku jetojnë banorë shqiptarë, serbë dhe të komuniteteve të tjera.

Selimi ka bërë të ditur se pas arrestimit të të dyshuarit, ekipet e specializuara për deminim kanë qëndruar në vendngjarje, ndërsa hetimet kanë vazhduar brenda banesës së tij.
“Aktualisht po zhvillohen hetimet në banesën e të dyshuarit, ndërsa banorët vazhdojnë të jenë jashtë duke qëndruar dhe, deri sa të mos sqarohet se a bëhet fjalë brenda banesës për një mjet shpërthyes apo jo, banorët domethënë vazhdojnë të qëndrojnë jashtë dhe nuk janë kthyer ende në banesat e tyre”, ka raportuar Selimi.
Ai ka theksuar se, sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga fqinjët, personi i arrestuar ishte përshkruar si problematik dhe se dyshohet se kishte bërë kërcënime edhe më herët.
Sipas gazetarit të RTK-së, banorët janë ndier më të lehtësuar pas arrestimit të personit të dyshuar, por kanë vazhduar të qëndrojnë jashtë objektit banesor.
Deri në momentin e raportimit, nuk kishte konfirmim zyrtar për rastin.
Burimi: RTKLive




