Një burrë ka humbur jetën dhe një grua është plagosur rëndë pasi një ari i sulmoi në shtëpinë e tyre, pranë kryeqytetit mongol, Ulaanbaatar.

Ngjarja ndodhi gjatë natës të së mërkurës në distriktin Bayanzurkh, brenda një ger-i, banesës tradicionale mongole në formë tende që përdoret gjerësisht nga komunitetet nomade, transmeton Telegrafi.
Viktima, një burrë në të 40-at, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga sulmi. Gruaja, rreth të 50-ave, arriti të largohej nga banesa dhe të kërkonte ndihmë te fqinjët. Ajo është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë, tha zyrtari i qytetit, Munkhbayar M.
Autoritetet kanë nisur kërkimet për ariun, ndërsa ekipet e rojeve po patrullojnë zonën. Banorëve u është bërë thirrje të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo shfaqje të kafshës.
Sulmi vjen në një kohë kur shfaqjet e arinjve pranë zonave të banuara në Mongoli po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Autoritetet dhe ekspertët i lidhin këto raste, ndër të tjera, me ndryshimet klimatike dhe mungesën e ushqimit, që mund t’i shtyjnë kafshët të afrohen më shumë te njerëzit.
Sipas Munkhbayar, vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 24 raste të shikimit të arinjve pranë Ulaanbaatarit, krahasuar me vetëm dy raste në vitin 2018, raportoi AFP.
Në javët e fundit, në rrjetet sociale mongole janë shpërndarë edhe video që pretendohet se tregojnë arinj duke hyrë ose dëmtuar ger-ët, si dhe duke sulmuar bagëti. Këto pamje kanë nxjerrë në pah rritjen e kontakteve mes njerëzve dhe arinjve në pjesë të ndryshme të vendit.
Autoritetet kanë lëshuar gjithashtu leje për gjuetinë e arinjve në tetë provinca, ndërsa po përpiqen të sigurojnë armë me shigjeta qetësuese për t’u ardhur në ndihmë rojeve që veprojnë në zonat rurale.
Mongolia ka ende një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që jeton në mënyrë nomade, ndërsa komunitetet e vendosura po shtohen. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e banorëve jeton në Ulaanbaatar dhe në qendra të tjera urbane, duke rritur potencialisht mundësinë e përballjeve mes njerëzve dhe kafshëve të egra. /Telegrafi/




