Një aksident trafiku mes katër veturave ka ndodhur këtë të premte në magjistralen Gjilan-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Parallovë.
Si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kanë pësuar 11 persona teksa të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në emergjencën e Spitalit të Gjilanit, njofton Dukagjini.

Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
“Më datën 09.10.2026 rreth orës 18:00, në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë gjegjësisht në fshatin Parallovë ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë katër automjete. Si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar njëmbëdhjetë persona. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjilan, përkatësisht hetuesit policorë të trafikut janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, u shpreh Osmani.
Burimi: Dukagjini




