Nuk kanë kaluar as 72 orë nga miratimi në lexim të dytë e ende nuk është dekretuar nga Presidentja.
Por në publik, tashmë janë ngritur dilema e shqetësime serioze për përmbajtjen dhe efektet e ligjit me të cilin të ndryshonte ligji për Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Përderisa në Gjykatën Kushtetuese nuk pritet të mbërrijë nga palët, një adresë ku mund të përfundojë për shqyrtim është Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.
“Se sa do të ketë efekt apo sa do kenë efekt këto ndryshime të ligjit sigurisht se është një pikëpyetje nëse këto ndryshime janë në frymën kushtetuese janë në frymën e nenit 162 pra amendamentit kushtetues i cili decidivisht me paragrafin e tretë të këtij neni i ka dhënë të drejtë gjykatës kushtetuese të dhomave të specializuara të interpretoi të gjitha referimet që kanë të bëjnë me dhomat e specializuara për Kosovën”, deklaroi Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Avokati i popullit që vepron e funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara për Kosovën, mund ta kontestojë në dhomën kushtetuese në Hagë, ndryshimet e projektligjit të miratuara së fundmi në Kuvendin e Kosovës.
Televizioni, ka dërguar pyetje në drejtim të Dhomave të Specializuara, në lidhje me këtë çështje.
“Nuk kemi koment. Dhomat e Specializuara janë plotësisht të fokusuara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar procese gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta dhe për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Avokati Alija, monitorues i punës së Speciales, është i mendimit se ka konflikt mes ligjeve e nenit të Kushtetutës që flet për Dhomat e Specializuara për Kosovën, të miratuara gjatë vitit 2015.
“Edhe pse projektligji i ri ka parashikuar që të gjitha këto interpretimet të referohen në Gjykatën Kushtetuese sigurisht se këtu është një konflikt mes ligjeve dhe sigurisht se neni 162 ka të drejtë të interpreton të gjitha referimet që lidhen me ligjin, punën e Dhomave të Specializuara i ka dhënë të drejtë pra dhomës kushtetuese të Gjykatës Speciale.”
E pas debatit publik në lidhje me përmbajtjen e ligjit, ka ardhur edhe një reagim nga PDK, përmes shefit të grupit parlamentar, Arian Tahiri.
“Nuk ka vend as për hezitim, as për tërheqje dhe as për dyshime. Kushdo që sot mendon se ky ligj mund të shpërfillet, me kohë do të bindet për të kundërtën. Ky ligj është miratuar dhe ne do të qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë”, tha ai.
Mbrëmjen e 6 tetorit, deputetët e kaluan në lexim të dyte këtë ligj, që parasheh disa kufizime për specialen, institucion që tashmë ka marr disa vendime dënuese ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e pjesëtarëve të saj.
I fundit qe dënimi 81 vjet burgim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, për krime lufte.
Burimi: Dukagjini




