3 mijë euro për syrin e humbur në luftë – i mbijetuari i Masakrës së Izbicës kërkon mëshirë nga shteti! (VIDEO)

3 mijë euro për syrin e humbur në luftë – i mbijetuari i Masakrës së Izbicës kërkon mëshirë nga shteti! (VIDEO)

3 mijë euro për syrin e humbur në luftë – i mbijetuari i Masakrës së Izbicës kërkon mëshirë nga shteti! (VIDEO)

Edhe 3 mijë euro i duhen Kushtrim Dervishit për ta siguruar protezën e syrit. Invalidi i luftës dhe babai i tre fëmijëve jeton me vetëm 150 euro pension në muaj, ndërsa për trajtimin e nevojshëm duhet të shkojë në Beograd.

Sponsor 3M Express

Kushtrimi u plagos në syrin e djathtë më 24 mars 1999, gjatë Masakrës së Izbicës. Pas trajtimit në Shqipëri, ku iu hoq syri i dëmtuar, vite më vonë humbi edhe shikimin në syrin tjetër. Që nga viti 2016, thotë se nuk sheh më fare.

Për protezën dhe trajtimin nevojiten rreth 6 mijë euro. Gjysmën e kësaj shume e ka mbledhur me ndihmën e njerëzve, por i duhen edhe 3 mijë euro të tjera. Sipas tij, trajtimi nuk mund të kryhet në Kosovë dhe duhet të realizohet në Beograd, përmes ndërmjetësimit të një mjeku kosovar.

Përveç problemeve shëndetësore, Kushtrimi përballet edhe me vështirësi financiare. Me 150 euro pension në muaj, thotë se mezi i përballon nevojat e familjes, me të cilën jeton në një banesë sociale.

KIKS Kosova ka trajtuar edhe rastin e Shqipe Aliut, 41-vjeçares nga Podujeva, e cila ka probleme me dëgjimin dhe shikimin, ndërsa lëvizjet i ka të kufizuara. Pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi, ndërsa vëllai i saj, Jakup Aliu, mundohet të kujdeset për të nga larg.

Sipas vëllait, Shqipes i ka ndodhur ta harrojë ujin hapur dhe të ketë vështirësi edhe në përditshmëri.

“Ka pas momente që e ka lëshu ujin dhe e ka harru lëshut. Ka pas momente që më ka thirr në telefon dhe s’e kam dëgju bash mirë e i kam hyp kerrit dhe kam ardhë këtu. E kam çu te mjekët, por as mjekët nuk po dinë çka me i ba ma”, thotë Jakup Aliu.

Përveç problemeve shëndetësore, familja prej vitesh po kërkon edhe rikthimin e pensionit të paaftësisë së përhershme, të cilin Shqipe e kishte përfituar nga viti 2014.

Më 21 maj 2018, Ministria ia ndërpreu pensionin me arsyetimin se gjendja e saj shëndetësore ishte përmirësuar. Familja e kundërshtoi vendimin dhe çështja përfundoi në gjykatë.

Më 16 janar 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë e anuloi vendimin e Ministrisë dhe e ktheu çështjen në rishqyrtim, duke e vlerësuar arsyetimin si të paqartë dhe kundërthënës. Më 6 prill 2021, Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e Ministrisë dhe e vërtetoi aktgjykimin e Themelores.

Një ekspertizë financiare e vitit 2022 llogariti 45 muaj pension, nga 100 euro në muaj, gjithsej 4 mijë e 500 euro. Megjithatë, dokumentet e siguruara nga KIKS Kosova nuk dëshmojnë se kjo shumë i është paguar përfundimisht Shqipes. Vëllai i saj thotë se familja ka nisur edhe një procedurë të re ligjore për pagesën.

Të dy rastet u trajtuan edhe nga njohësja e shëndetësisë, Saranda Ramaj, e cila ngre shqetësime për mungesën e shërbimeve të caktuara në Kosovë dhe mënyrën e vlerësimit të personave që kërkojnë pension të paaftësisë.

Sa i përket protezës së syrit, KIKS Kosova i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë të sqarojë nëse trajtimi në Beograd mund të financohet përmes Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Deri në përfundim të kronikës, Ministria nuk kishte kthyer përgjigje.

Për rastin e Shqipe Aliut, KIKS Kosova kërkoi sqarime nga Ministria përgjegjëse për pensionin dhe mënyrën e vlerësimit të personave me paaftësi të përhershme, si dhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë. As këto institucione nuk kishin kthyer përgjigje deri në publikim.

Kushtrim Dervishi vazhdon të kërkojë ndihmë për protezën e syrit, ndërsa Shqipe Aliu dhe familja e saj presin zgjidhje për pensionin. Dy raste të ndryshme që ngrenë pikëpyetje për mbështetjen që marrin qytetarët kur përballen me nevoja shëndetësore dhe vështirësi financiare.

 Detajet mund t’i gjeni në Kiks Kosova.

Lexo edhe

Serbia s’i lejon deputetët e Kosovës të hyjnë në Preshevë as për të pame

Serbia s’i lejon deputetët e Kosovës të hyjnë në Preshevë as për të pame

Telashet me paga: Punëtorët në grevë, klasat me bërllok (VIDEO)

Telashet me paga: Punëtorët në grevë, klasat me bërllok (VIDEO)

Fundjava nis me diell, ndërsa e diela sjell reshje shiu dhe rënie të temperaturave

Fundjava nis me diell, ndërsa e diela sjell reshje shiu dhe rënie të temperaturave