Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja dhe pa president të zgjedhur, disa javë pas zgjedhjeve. Përpjekjet për një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë prodhuar ende rezultat, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë shprehur rezerva për mbështetjen e procesit.
LVV-ja ka bërë të ditur se tashmë ka emra për presidentin e ardhshëm, por sipas Glauk Konjufcës, ata nuk do të bëhen publikë para takimit me LDK-në. Kjo e fundit ka deklaruar se është e gatshme të mbështesë një kandidat konsensual, duke theksuar se nuk ka më arsye për zvarritjen e formimit të institucioneve.
PDK-ja, përmes deputetes Ariana Musliu-Shoshi, ka mohuar të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje politike. Ajo ka kërkuar që LVV-ja dhe LDK-ja, si palë që po negociojnë, t’u japin qytetarëve përgjigje për procesin, duke përsëritur se PDK-ja do t’u qëndrojë vendimeve dhe parimeve të saj.
Nga LDK-ja, deputeti Ermal Sadiku ka thënë se ende nuk është momenti për të diskutuar emrat e kandidatëve, pasi fillimisht duhet të dakordohen parimet për një president konsensual. Ai ka konfirmuar se deputetët e LDK-së do të jenë në sallë nëse arrihet marrëveshje me LVV-në.
Ndërkohë, AAK-ja ka vendosur kushte për pjesëmarrjen në seancën e zgjedhjes së presidentit. Deputeti Burim Ramadani ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të ndihmojë në sigurimin e kuorumit vetëm nëse zbatohen gjashtë pikat e AAK-së. Sipas tij, marrëveshja duhet të përmbajë zotime konkrete dhe program, e jo vetëm emra dhe poste.
Edhe deputetja Time Kadrijaj ka konfirmuar se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në seancë nëse LVV-ja dhe Albin Kurti nuk deklarohen për gjashtë kushtet e partisë.
Në këtë situatë, formimi i institucioneve të reja dhe zgjedhja e presidentit mbeten të varura nga arritja e një marrëveshjeje politike, ndërsa partitë vazhdojnë të kushtëzojnë mbështetjen e tyre. /Frontonline
The post Kosova ende pa institucione të reja dhe president, partitë tregojnë kushtet për dalje nga ngërçi appeared first on Gazeta Express.

