Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj protestave të fundit, duke i lidhur ato me ndikimin e rrjeteve sociale dhe atë që e quajti një prirje për krijimin e “histerisë kolektive” dhe kërkim të vëmendjes publike.
Gjatë një deklarimi publik, Rama tha se kishte marrë mesazhe nga qytetarë që e pyesnin nëse kishte menduar të jepte dorëheqjen, por theksoi se protestat nuk mund të diktojnë drejtimin e qeverisë apo të pengojnë objektivat strategjike të vendit.
Ai kritikoi përpjekjet për bllokimin e aeroportit dhe tha se një pjesë e protestuesve kishin ardhur edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke pretenduar se po vepronin në emër të interesave kombëtare.
Sipas Ramës, një qeveri ka detyrimin të dëgjojë kritikat dhe pakënaqësitë e qytetarëve, por nuk mund të udhëhiqet nga presioni i momentit apo nga dinamika e rrjeteve sociale.
“Kush qeveris me një mision të qartë nuk e dorëzon timonin te zhurma”, u shpreh ai, duke shtuar se sa më i madh të jetë presioni publik, aq më e rëndësishme është që një forcë politike të ruajë identitetin dhe objektivat e saj.
Kryeministri theksoi se qëllimi kryesor i qeverisë mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se ky proces nuk mund të vihet në pikëpyetje nga protestat apo debatet që zhvillohen në platformat sociale.
Rama pranoi se qeveria mban përgjegjësi për sfidat dhe problemet që ekzistojnë, por kundërshtoi idenë se duhet të ndihet fajtore për organizimin e protestave. Ai argumentoi se dorëzimi përballë presionit të krijuar nga algoritmet dhe rrjetet sociale do të përbënte, sipas tij, “tradhtinë e vërtetë” ndaj misionit politik që ka marrë përsipër.

