Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS, letrën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku i ka kërkuar që KFOR-i të ndalë hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve, e ka cilësuar si përpjekje të Beogradit për ta ruajtur urën si simbol politik të ndarjes së veriut të Kosovës.
“Vuçiq e sheh urën si kërcënim, NATO si progres”, është mesazhi që del nga reagimi i Fetoshit, i cili thekson se qëndrimi i NATO-s për lirinë e lëvizjes e godet drejtpërdrejt narrativën serbe për një Kosovë që, sipas propagandës së Beogradit, ushtron represion ndaj serbëve.
Fetoshi ka thënë se kërcënimet reale të sigurisë në veri nuk kanë ardhur nga liria e lëvizjes mbi urë, por nga strukturat kriminale dhe ilegale, sulmet ndaj KFOR-it, sulmi në Banjskë, arsenali i armëve i konfiskuar në veri dhe rrjetet e kontrabandës.
“Problemi i Vuçiqit nuk është ura. Problem është infrastruktura e destabilizimit, e furnizuar përgjatë viteve me simbolin e ‘ndarjes’ mbi Ibër”, ka shkruar Fetoshi.
Ai vlerëson se Beogradit i nevojiten tensionet për ta mbajtur gjallë narrativën e “serbëve të kërcënuar”, ndërsa normalizimi i situatës dhe integrimi i veriut ia dobësojnë këtë instrument politik.
Tutje Fetoshi ka theksuar se NATO është e vetëdijshme se nga kanë ardhur kërcënimet serioze të sigurisë në veri të Kosovës, duke përmendur sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe sulmin e armatosur në Banjskë.
Andaj, Fetoshi shprehet se letra e Vuçiqit në fakt e shpërfaq strategjinë e Beogradit për ta paraqitur “normalizimin si kërcënim, lirinë e lëvizjes si rrezik dhe integrimin e veriut si ‘terror ndaj serbëve’”.

