Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka informuar sot se makineritë që po përdoren për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë janë djegur.
Ai tha se rasti po hetohet nga organet e rendit dhe bëri thirrje që përgjegjësit të zbulohen dhe të përballen me drejtësinë dhe se incidenti nuk do ta ndalë projektin për ndërtimin e stadiumit.
“Djegia e makinerive që po punojnë në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës është një goditje ndaj një projekti që i shërben sportit, rinisë dhe zhvillimit të Haraçinës. Organet e rendit po hetojnë rastin dhe bëjmë thirrje që rasti të zbardhet sa më shpejt dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Por një gjë duhet të jetë e qartë: NUK NA NDAL ASKUSH. Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet. Haraçina ka pritur 50 vite për këtë ditë. Nuk do të kthehemi prapa. Ata që duan ta ndalin zhvillimin, le ta dinë një gjë: Haraçina ka zgjedhur të ecë përpara. Sot mund të digjen makineri. Por nuk digjet vullneti për të ndërtuar. Stadiumi do të ndërtohet. Shkëndija do ta ketë shtëpinë e saj. Dhe një gjë tjetër duhet ta dinë të gjithë: nuk më frikësoni. Nuk ndalem përballë presionit, kërcënimeve apo pengesave. Unë do ta çoj këtë projekt deri në fund. Nuk ndalem derisa fëmijët e Haraçinës të shkelin në fushën e stadiumit të tyre. STADIUMI I SHKËNDIJËS DO TË NDËRTOHET!”, ka shkruar Beqiri.
Kujtojmë se ndërtimi i stadiumit të Shkëndijës së Haraçinës nisi ditë më parë dhe është investim që erdhi pas shumë viteve pritje.

