Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv Kadri Xhemajlin, pasi ai pranoi fajësinë për kanosjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 22 tetor 2025, Xhemajli kishte publikuar në rrjetin social Facebook një koment me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Kurti, duke e kanosur me privim nga jeta.
Paraprakisht, prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se ishin përmbushur të gjitha kushtet ligjore për aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Sipas tij, i akuzuari e kishte kuptuar natyrën dhe peshën e veprës penale, si dhe pasojat që rrjedhin nga pranimi i fajësisë.
Marrëveshjen e ka mbështetur edhe mbrojtësi i Xhemajlit, avokati Rinor Arifi, i cili vlerësoi se ishin plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e saj.
Xhemajli akuzohej për veprën penale “Kanosja”./teve1.info/

