Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se Ngushtica e Hormuzit është “e hapur”, duke pretenduar se Marina amerikane e ka pastruar rrugëkalimin ujor nga minat dhe ka kontrollin mbi të, por të dhënat e transportit detar ende nuk e mbështesin këtë, raporton CNN.
Gjurmuesi i anijeve MarineTraffic tregoi se shtatë anije të mëdha – dy cisterna nafte, një cisternë gazi, tre anije për transport të ngarkesave të thata dhe një anije mallrash – e kaluan ngushticën të martën rreth mesditës sipas kohës lokale, të gjitha duke hyrë në Gjirin Persik.
Kalimi i një anijeje nëpër ngushticë mund të zgjasë disa orë, tregojnë të dhënat e mëparshme të transportit detar, ndaj nuk ka gjasa që ky numër të rritet ndjeshëm më vonë gjatë ditës së sotme.
Vetëm tetë anije e kaluan dje këtë rrugëkalim të rëndësishëm ujor, pesë prej tyre duke ndjekur rrugën iraniane dhe tri duke ndjekur një rrugë të pazbuluar, tha kompania e inteligjencës detare Kpler.
Kjo ende nuk e mbështet pretendimin e Trumpit se ngushtica është “e hapur tani”.
“Shikoni, e vetmja palë që ka kontrollin e Ngushticës së Hormuzit tani është Marina e Shteteve të Bashkuara”, u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale.
Para luftës, mesatarisht 120 anije e kalonin çdo ditë këtë rrugëkalim të rëndësishëm ujor, nëpër të cilin transportohej një e pesta e furnizimeve globale me naftë.
The post CNN: Trump thotë se Hormuzi është “i hapur”, por të dhënat e transportit detar s’e mbështesin këtë appeared first on Gazeta Express.

